Në episodin 27 të Çelnajës, së bashku me Edon Qesarin, hulumtues në Institutin e Historisë në Tiranë, diskutojmë për të kaluarën, historinë dhe historiografinë. Duke dekonstruktuar këto koncepte, fillimisht flasim për konceptin e historisë që na paraqitet herë si arkivim i dijeve, herë si trajektore teleologjike, herë si përmbledhje perspektivash e mbi të gjitha, si marrëdhënie midis dijes dhe pushtetit, dhe se si pushteti e legjitimon të sotmen përmes historisë. Qesari thotë se për një legjitimitet të tillë nevojiten metodologji dhe mekanizma të caktuara. Flasim gjithashtu për kombin historik, për idenë e popujve ballkanikë në projeksionet futuristike bazuar në legjitimitetin e një kombi historik. Nuk e lëmë pa i shqyrtuar historiografitë e popujve të Ballkanit dhe problemin e “stereotipizimit të tjetrit”. Përmendim edhe metodologjinë e Fernand Braudel-it dhe konceptin gjeografik të shkrimit të historisë për të tejkaluar hendekun historik dhe ecur drejt të ardhmes.
Gjatë bisedës shtrojmë pyetje për natyrën e historisë si arkivim i dijeve dhe si përmbledhje perspektivash. Flasim edhe për historiografinë kombëtare, figurat historike dhe trajektoren e historisë kombëtare. Në fund shqyrtojmë metodat alternative të të shkruarit të historisë krahas metodave, heroikocentrise, etatocentrise dhe naciocentriste.
• Autor dhe moderator: Latif Mustafa
• Mysafir: Edon Qesari
• Montazhi dhe realizimi: Alb Muhaxhiri – Alb Films
Për çdo pyetje, sugjerim, a koment na shkruani në
[email protected].
*Projekti mbështetet dhe financohet nga Rockefeller Brothers Fund.